Si të shkruaj një letër motivimi?
Letra e motivimit ose ndryshe njohur edhe si letra e interesit, është letra e cila u dërgohet organeve tek të cilat jeni të interesuar për të aplikuar për një vend pune ose për edukim të mëtejshëm. 
Letra e motivimit është letër personale, ajo në fjalë të shkurta paraqet motivet tuaja, interesin rreth vendit të ofruar (të punës ose për edukim) si dhe “këmbënguljen” tuaj për të “zënë” atë vend të caktuar.
Letra e motivimit duhet të jetë unike dhe e pa përsëritshme pavarësisht se mund të ndodhë që ju të aplikoni në një vend të njëjtë për dy çështje të ndryshme (psh. për dy vende të ndryshme pune.
 
Karakteristikat fizike:
 Adresat
Adresa e aplikuesit me të dhënat për kontaktim dhe adresa e pranuesit me të dhënat për kontaktim janë nga karakteristikat fizike që duhet pasur parasysh gjatë përpilimit të letrave të motivimit. Këto të dhëna duhet radhitur varësisht nga stili i përdorur në një vend të caktuar ose në një gjuhë të caktuar, por ajo që është e përbashkët është se këto të dhëna vendosen në kokë të letrës.
 
Titulli i letrës
Titulli i cili i vendoset letrës së motivimit është soecifik. Në titull bën pjesë titulli për vendin për të cilin ju aplikoni. Psh nëse ofruesi i një vendi pune ka përdorur titullin “Koordinues projektesh në sektorin IT”, atëherë ju patjetër duhet që këtë titull të e përdorni në titullin tuaj. Kjo tregon përgjigjen tuaj direkt nda një kërkese të bërë direkt.
Në këtë rast përgjigja juaj, titulli i letrës së motivimit do të ishte: “Aplikim për vendin e hapur “Koordinues projektesh në sektorin IT””.
 
Përmbajtja
Të kini parasysh që letrën e motivimit të e bëni të plotë, por të shkurtër. Brendia e letrës suaj le të arrij jo më shumë se 80-90 fjalë të shpërndara në tri tërësi: Hyrje, Ju dhe Motivimi, dhe Përfundimi.
 
Hyrja e letrës
Hyrja e letrës duhet të fillojë me përshëndetje e cila duhet, mundësisht, të mos jetë e përgjithshme, por personale.
 
Hyrje e përgjithshmeTë nderuar zonja dhe zotërinjë nga kompania X,
Hyrje personale: I nderuar zotëri Mbiemri,
Patjetër duhet të kërkoni person të caktuar i cili është përgjegjës për të interesuarit për vendin e caktuar, ose ju aplikoni spontanisht për një vend të caktuar atëherë kërkoni menaxhuesin e resurseve njerëzore të kompanisë (shkollës, universitetit) ose një të punësuar të cilin ju e shihni si person i mundshëm për këtë detyre.
Qasja personale krijon kontakt personal.
Hyrjes i takon edhe paragrafi i parë që mund të përmbaj një ose dy fjali, varësisht nga lloji i qasjes, vendi ose gjuha në të cilën e shkruani letrën.
- Në vendet tona, ku një letër motivimi shkruhet në gjuhën shqipe, preferohet që ky paragraf të posedojë dy fjali ku një informon ofruesin se ku keni marrë informatën për vendin e lirë dhe përmes fjalisë së dytë konfirmoni interesimin tuaj për këtë vend.
 
Vini re: Nëse letrën e shkruani në gjuhë të huaj atëherë preferohet që të mos shkruhet burimi se nga keni kuptuar se ofrohet vendi i lirë i punës, përveç nëse mendoni se ajo informatë do të ndikojë tek pranuesi i aplikacionit tuaj. Kjo do të ishte psh. nëse e keni kontaktuar përmes telefonit, ose në një takim personal fillimisht dhe pastaj u ka kërkuar aplikacion, pra tanimë veç keni një lloj lidhje komunikimi dhe një informatë e tillë i përkujton pranuesit të aplikacionit se ju keni kontakt me të.
 Ju dhe Motivimi
Në këtë pjesë shkurt dhe qartë prezantoni veten tuaj, shpalosni elementin që u motivon ju që të aplikoni në vendin e caktuar të punës dhe shpalosni qëndrimin tuaj rreth rrjedhave në të ardhmen (“lavdëroheni me aftësitë tuaja”).
 Shembull:
Ky vend pune është  shumë tërheqës për mua (me qasje ndaj së ardhmes, vizion për të ardhmen etj.) pasi që (nëse nuk keni përvojë në atë drejtim atëherë shkruani llojin e edukimit ose të njohurive të cilat i kemi për atë vend të caktuar pune) pesë vitet e kaluara kam vepruar si koordinues projektesh në një kompani për zhvillimin e projekteve financiare.
Nëse pozita e caktuar kërkon aftësi të caktuara të cilat janë bazë ose shumë të rëndësishme atëherë në një fjali i përmblidhni ato aftësi dhe njohuri që keni (pavarësisht se ato i keni të radhitura në CV).
 
Shembull:
Unë mendoj ….
Unë kam bindjen se duke kombinuar njohuritë dhe përvojën që kam me mundësitë që ju ofroni në kompaninë tuaj ju do të fitoni zgjidhjen e vërtetë për hapësirë të cilën keni nevojë. (… duke kombinuar aftësitë e mia dhe stafin tuaj me synime për të ardhmen ju do të keni zgjidhjen më të përshtatshme për vendin që keni nevojë.)

 

Përfundimi
Dhe në fund e përmbyllni letrën duke shprehur kënaqësinë tuaj për përgjigjen që ata do të dërgonin rreth aplikimit tuaj.
 
Shembull:
Me shumë kënaqësi pres përgjigjen tuaj dhe ndjej kënaqësi për tu takuar sa më shpejtë në një intervistë nga ana juaj.
Përshëndetje të sinqerta,
Filan Fisteku
Bashkangjitur:
1. Curriculim Vitae
2. Emri i dokumentit të bashkangjitur
3. Emri i certifikatës së bashkangjitur
4. ….
VINI RE: Nëse ju postoni një letër motivimi përmes mjeteve elektronike atëherë titulli i postës duhet të jetë njëjtë sikur titulli i letrës së motivimit dhe përmbajtja po ajo përmbajtje që nënkupton atë se ajo letër është letër motivimi dhe titujt e dokumenteve duhen të jenë të njëjtë sikur tek bashkëngjitja. Si dhe preferohet që letra e motivimit të bashkëngjitet dhe në formë dokumenti (pra PDF).